Kryetarja e bashkisë së Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS Emiriana Sako e shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela, sekretari organizativ i PS Blendi Klosi dhe deputetja Klodiana Spahiu ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes 17 të qytetit. Kryebashkiakja Sako duke folur me banorët e zonës është fokusuar më shumë te programi i rindërtimit, ku te kjo lagje janë duke u riforcuar shumë pallate me shkallë dëmtimi DS4 si dhe po ndërtohen pallate të reja ku pritet të strehohen më shumë se 300 familje.

“Në lagjen 17 jemi fokusuar më shumë te programi i rindërtimit, pasi këtu kemi pasur disa pallate të dëmtuar me shkallë dëmi DS4, shumë të tjerë kanë përfituar grant rikonstruksioni, ndërkohë që po ndërtojmë edhe dy pallate të reja. Kemi pallatin e ri 13 katësh në rrugën “Dalip Peza” ku do të strehohen 154 familje dhe pallatin tek Lura (Ahmet Dakli) në të cilin do të akomodohen 158 familje të tjera. Kemi filluar riforcimin e 20 pallateve me DS4 në këtë lagje, të cilët po ecin mirë, por këto janë punime komplekse që kërkojnë kohën e vet. E rëndësishme është se në përfundim, banorët e këtyre pallateve do të kenë banesa më të forta dhe më të sigurta se më parë”.

Deputetja Klodiana Spahiu tha para banorëve se në të gjitha takimet kemi pasur shumë njerëz që kanë ardhur, pasi ata kanë qenë të interesuar për të dëgjuar projktet që ka bashkia për qytetin. Spahiu shtoi se Emiriana Sako është një kandidate e shkëlqyer që do të bëjë shumë punë të mira për Durrësin

Gjatë vitit të kaluar bashkia ka kryer në lagjen 17 rehabilitimin e rrugës “Dalip Peza” dhe ndriçimin e rrugëve “Hysen Myshketa” dhe “Abaz Çelkupa”. Në këtë vit, në buxhetin e bashkisë është parashikuar ndriçimi LED i tre rrugëve të tjera dhe rehabilitimi i rrugës “Glaukia”.