Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako është takuar ditën e sotme me inxhinierë dhe arkitektë nga Turqia, të cilët janë të specializuar në kontrollin teknik të godinave dhe proceset e rindërtimit pas tërmeteve.
Qyteti bregdetar është ndër më të goditurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe procesi i rindërtimit ende është në proces.
Kryetarja Sako sqaron përmes një postimi në rrjete sociale se në takim u “bashkëbisedua rreth procesit të rindërtimit duke ndarë me ta eksperienca të përbashkëta. Grupi i specialistëve turq treguan eksperiencat e tyre me ndërtimin e banesave të reja në Turqi pasi ata operojnë me disa sisteme të reja kontrolli të cilësisë të ndërtimit. Ata treguan sesi operojnë me këto lloj sistemesh nga fillimi i ndërtimit të një godine të re deri në përfundim të saj duke ngritur godina antisizmike si ato që pikërisht ky grup ka ndërtuar në zona të ndryshme të Turqisë e që i kanë rezistuar tërmeteve”.
Më tej në postimin e saj, kryebashkiakja Sako jep lajmin e mirë se ekspertët nga Turqia janë ofruar të japin ndihmën e tyre dhe ekspertizën teknike për të ndërtuar në Durrës godina antisizmike me elementë maksimalë të sigurisë.
“Ata ofruan ekspertizën dhe ndihmën e tyre për të operuar edhe në Durrës me këto sisteme që përdoren në vendin mik në ndërtimin e banesave të reja duke ngritur edhe në qytetin tonë godina antisizmike me elementë maksimalë të sigurisë”,– shkruan Sako.





