Kryebashkiakja Emiriana Sako ka mbajtur një takim me operatorë turistikë dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ku deklaroi se turizmi është shtylla kryesore ku mbështetet ekonomia e qytetit dhe si bashki do bëjnë çdo gjë për t’ju krijuar lehtësirat e nevojshme.

Pasi i falënderoi operatorët turistikë për strehimin e më shumë se 4000 banorëve që u larguan nga banesat e tyre për shkak të tërmetit, kryebashkiakja Sako tha se bashkia ka marrë në konsideratë me shumë seriozitet kërkesat e tyre për të pasur një sezon turistik sa më të suksesshëm.

“Ne zgjidhëm menaxhimin e mbetjeve urbane, ku mbetjet i dërgojmë në landfillin e Sharrës. Në zonën turistike që ka më shumë fluks, plazhi i Durrësit dhe ai i shkëmbit të Kavajës, është menduar që mbetjet urbane t’i largojmë 2-3 herë në ditë, falë edhe një bashkëpunimi që do të kemi me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Së shpejti nisim investimin për vendosjen e sinjalistikës turistike. Sako shtoi se së shpejti nis investimi për shëtitoren e re bregdetare, e cila nis nga ura e Dajlanit dhe përfundon në Plepa. Shëtitorja do të jetë pothuajse e njëjtë me atë që bashkia ka realizuar përgjatë plazhit në hyrje të shkëmbit të Kavajës deri tek përroi i Agait në kufi me Golemin.”

Në bashkëbisedim me përfaqësues të turizmit si dhe dhomës tregtare të industrisë, kryetarja e bashkisë iu është drejtuar atyre se bashkia i konsideron partnerë të rëndësishëm dhe është e hapur që të marrë në konsideratë propozime konkrete për cështje që ata janë të shqetësuar.

Në vlerësimin e fundit që ka kryer në terren bashkia e Durrësit, rezulton se në zonën turistike nga Ishmi deri në Shkëmbin e Kavajës gjenden afro 9000 shtretër në 158 subjekte të hotelerisë. Sako përmendi edhe projektet madhore që janë duke u realizuar dhe të tjerë që fillojnë së shpejti, të cilët do të kenë ndikim fillimisht për zhvillimin e turizmit, si Eko Parku, porti turistik, projekti për zbulimin e plotë të amfiteatrit, rehabilitimi i qendrës historike, rivitalizimi i disa monumenteve historikë me ndihmën e projektit EU4Culture etj.

Sako ka theksuar se Durrësi nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht një destinacion veror për plazh, por edhe një destinacion gjithëvjetor i turizmit kulturor.