Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka zhvilluar një takim me zv.ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, Patrik Meier dhe përfaqësues të projektit zviceran “Forcimi i Kapaciteteve dhe Sistemeve për Menaxhimin Financiar Publik”.

“Bashkëbiseduam rreth projektit pjesë e të cilit është edhe bashkia e Durrësit. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në forcimin e Menaxhimit Financiar Publik (MFP) në nivel vendor në Shqipëri, për të mundësuar një disiplinë më të mirë fiskale, përdorim efikas të fondeve publike dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Ky projekt do të mbështesë bashkinë e Durrësit dhe disa bashki të tjera të vendit në këto fusha: planifikimi strategjik dhe menaxhimi i buxhetit, menaxhimi i të ardhurave, kontrolli i brendshëm dhe raportimi financiar”,- shkruan Sako në një postim në rrjete sociale.