Elton Arbana, kryebashkiaku i Shijakut përmes një postimi në Facebook ka bërë urimin e tij për vitin 2022 dhe ka shprehur falenderime për Kryeministrin Rama që ka mbështetur Shijakun në sfidat pas tërmetit, për punonjësit e bashkisë, për çdo banor të Shijakut për punën e palodhur gjatë këtij viti dhe kontributin që kanë dhënë në shërbim të një qyteti më të mirë dhe më të zhvilluar.
Postimi i plotë:
Në 365 ditët e vitit 2021 kemi punuar fort për të ardhmen e Shijakut.
Si kryebashkiak e kam jetuar çdo ditë të vitit që po lemë pas, me besim dhe integritet. Kam besuar gjithmonë te e ardhmja që mund t’i japim Shijakut. Kam qenë zëri i atyre që më parë nuk i dëgjonte askush, prandaj në Shijak kemi bërë punë që nuk bëheshin prej tre dekadave.
Jam mirënjohës ndaj Kryeministrit Edi Rama që na ka mbështetur dhe na është gjendur pranë në sfidat që kaluam dhe po finalizojmë me sukses.
Ndjehem krenar që kemi arritur të gëzojmë dhe të ndryshojmë jetën e qindra familjeve që janë futur në shtëpitë e reja, pasi mbetën të pastreha nga tërmeti.
Ndjehem krenar për fëmijët që po gëzojnë godinat e reja arsimore me infrastrukturë më të sigurtë dhe bashkëkohore. Për bonuset e qerave që vazhdojmë të japim. Për çdo punë të përfunduar duke i dhënë zgjidhje problematikave të paraqitura nga qytetarët.
Falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, punonjësit e bashkisë, çdo banor të Shijakut për punën e palodhur gjatë këtij viti dhe kontributin që kanë dhënë në shërbim të një qyteti më të mirë dhe më të zhvilluar.
Ky ka qenë një vit i veçantë për mua, pasi erdhi në jetë djali im Siar. Fëmijët janë motivi që punoj çdo ditë pa u lodhur, sepse dua ta bëj Shijakun një vend më të mirë ku mund të jetojnë fëmijët tanë.
Plot me optimizëm presim vitin 2022, me këmbëngulje deri sa të përfundojmë pallatet e nisura, më pas të mos mbetet asnjë rrugë e paasfaltuar, të kemi një qytet sa më të gjelbëruar, të bëjmë më të mirën e asaj që mundemi për Shijakun, Njësitë Administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj, si një familje e madhe.
Ju uroj shëndet në familjet tuaja, një vit të mbarë dhe të begatë për të gjithë ju shijakasit e mi!
GËZUAR 2022!
Shijaku, familja ime e madhe!