Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Luçiano Boçi tha se tre shkolla në Shijak tashmë do të bëjnë mësim në një godinë të vetme, pasi u shembën nga tërmeti.
Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana që e quan shpifje dhe madje jep me fakte se e vërteta për rindërtimin e shkollave dhe sigurinë e nxënësve nga pandemia, është komplet ndryshe.
Ja postimi i tij i plotë:
Në tetë orë pune ju SHPIFNI, NE PUNOJMË! Bllofi i dytë i PD, të presim të tretin.. Kur u bëra pjesë e politikës e dija që në një moment suksesi do të isha dëshmitar i shpifjeve mbi punën time. Por unë zgjodha të jem I VËRTETË dhe I DREJTË me njerëzit. Ti shërbej atyre pa kushte. Është fatkeq ai njeri që kthen si qëllim në vetvete SHPIFJEN. Dhe nuk lodhet nga ky ushqim i përditshëm profesional, edhe pse del bllof përpara fakteve.
Gjithmonë kam dashur të hesht kundër polemikave që sjellin gjuhën e urrejtjes dhe bëhen në emër të një xhelozie mbi suksesin e vërtetë të tjetrit. Puna e Kryeministrit dhe e bashkisë Shijak flet më shumë se çdo fjalë e juaja.
Mund të bindni njerëzit që kanë zgjedhur të jenë nën verbërinë e një militanti me shpifjet tuaja, por kurrë qytetarët e ndershëm që çdo ditë e shikojnë ndryshimin pozitiv që po përjeton Shijaku.
Dhe e dini ku qëndron diferenca mes nesh. Sepse ne mendojmë dhe veprojmë POZITIVISHT. Ju mendoni dhe veproni NEGATIVISHT. E mira triumfon mbi të keqen.
FAKTE
Në Shijak po ndërtohen dy gjimnaze dhe kopshti nr.1 që pritet të përfundojnë brenda nëntorit. Shkollat “Petrit Llaftiu” dhe “Lidhja e Prizrenit” kanë nisur, janë në proces demolimi.
Shkolla “Rilindja” dhe Kopshti Nr.2 do të nisin së shpejti rindërtimin.
Në bashkëpunim me ZVA Shijak, rikthimi i nxënësve në çdo shkollë në qytet dhe në fshatra do të jetë me 100% siguri brenda protokolleve të vendosura për shkak të pandemisë.
Disa shkolla financohen nga buxheti i shtetit, disa nga UNDP. Sigurisht që procedurat janë të ndryshme. Kjo është dhe arsyeja që në paketën e parë me 143 shkolla përfshihet:
Gjimnazi “16 shtatori” Shijak
Gjimnazi “Kajo Karafili” Maminas
Kopshti nr.1 Shijak.
Bashkangjitur me foto Vendimi nr.84 datë 26.08.2020 me nr protokolli 7458/4 Për miratimin e prishjes së shkollës 9-vjeçare “Petrit Llaftiu” Shijak, miratuar nga Këshilli bashkiak dhe me verifikimin ligjor të prefektit të Qarkut Durrës, Roland Nasto. *Data e inspektimit nga Instituti i Ndërtimit është 23.07.2020, pas së cilës Bashkia Shijak ka vijuar procedurën e rregullt ligjore për të kryer procesin e demolimit dhe rindërtimit.
Sistemimi i shkollave nga ZVA Shijak. Materiali i detajuar më poshtë me foto. Distanca mes shkollave pritëse është 5 minuta. Shkolla më e largët është 1 km, gjë që nuk ngarkon fëmijët në përditshmërinë e tyre. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!





