Në mars të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë procesi i rindërtimit të Shijakut, një nga bashkitë më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Prej muajsh, qyteza e vogël është kthyer në një kantier ndërtimi, ku plot 31 pallate të reja po ndërtohen nga e para. Aty do të akomodohen rreth 600 familje të mbetura të pastreha nga shembja e godinave, që morën dëmtime të rënda nga lëkundja sizmike.

2 vite pas tërmetit, Shijaku është në rindërtim e sipër dhe puna vijon me 2 turne në kantieret ku po hedhin shtat pallatet e reja.

“DurrësLajm” ishte sot në lagjen “Lugina” për të zhvilluar një intervistë me kryetarin e bashkisë Elton Arbana, i cili u përball që në muajt e parë pas marrjes së detyrës me fatkeqësinë natyrore, që shkaktoi dëme kolosale për qytezën.

Në bisedë me të mësojmë se ecuria e procesit të rindërtimit është mjaft e mirë dhe brenda pak muajsh, në Shijak nuk do të mbetet më gjurmë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

“Kanë mbaruar plot 800 banesa individuale në bashkinë e Shijakut në këto dy vite dhe ka nisur puna intensivisht për ndërtimin e 31 pallateve të reja. Punohet me 2 turne, me qëllimin e vetëm që familjet që kanë humbur banesat e tyre të futen në shtëpitë e reja një orë e më parë. Këto familje trajtohen me bonus qiraje rregullisht dhe dua t’i qetësoj qytetarët që do të vazhdojnë ta marrin bonusin e qirasë deri në momentin që banesat e tyre të reja do të jenë të përfunduara”, tha Arbana.

Sipas kryebashkiakut, disa pallate do të jenë gati që para fundit të këtij viti.

“7-8 pallate do të përfundojnë brenda këtij viti dhe ne do të bëjmë ndarjen e tyre sipas shorteut”,- tha kryetari i bashkisë.

Pak muaj më parë, qyteza e vogël u përball me emergjencën e mbeturinave urbane, për shkak të mbylljes së venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano.

Për të evituar përsëritjen e situatave të ngjashme, kryetari Arbana bën të ditur se një pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm do të shkojë pikërisht për evadimin e mbetjeve që gjenerohen nga bashkia Shijak për në inceneratorin e Sharrës.

“Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për evadimin e mbetjeve, me qëllimin e vetëm që të kemi një qytet të pastër, sepse 75% e qytetit po rindërtohet nga e para”,- tha kryebashkiaku.

Gjatë intervistës, kreu i bashkisë Shijak u ndal edhe tek sfidat e qeverisjes së tij, projektet për të ardhmen e qytetit të tij, por edhe sfidat e prindërimit, si baba i pesë fëmijëve, më i vogli i të cilëve është vetëm pak javësh.

Të plotë intervistën që “DurrësLajm” zhvilloi me kryetarin e bashkisë Shijak mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

M.B.