Këshilli Bashkiak Shijak ka zhvilluar pasditen e sotme mbledhjen e radhës, e cila është transmetuar live në rrjete sociale.
Në një postim në Facebook, kryebashkiaku Elton Arbana bën të ditur se gjatë mbledhjes u vu theksi në informimin e qytetarëve lidhur me procesin e Rindërtimit, pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe çështje që kishin të bënin me rikonstruksionin e aksit rrugor “Katër rrugët – Rrashbull”, rrjetin e brendshëm të ujësjellësit, bonusin e qirave, dyfishimin e ndihmave ekonomike dhe masat që do të marrë bashkia për dezinfektimin e shkollave.
Arbana njoftoi se në 60% të pallateve të dëmtuara ka nisur rikonstruksioni i tyre. Ndërkohë ka nisur puna për ndërtimin e 3 shkollave të reja dhe kopshtit nr.1 që pritet të përfundojnë para datës 26 nëntor. Kryebashkiaku rrëfeu sfidën e radhës pr procesin e Rindërtimit.
“Jemi bashkia e parë ku ka nisur ndërtimi i banesave individuale. Në bashkinë e Shijakut po demolohen dhe po rindërtohen 508 banesa individuale. Bashkia e Shijakut shpërndan bonusin e qirasë për 800 familje, banesat e të cilave janë kthyer në të pabanueshme që nga 26 nëntori. Ato do të vazhdojnë ta marrin bonusin e qirasë derisa të futen në shtëpitë e tyre të reja. Sfida jonë e radhës është që të jemi sërish bashkia e parë që do të nisë me hedhjen e themeleve të pallateve, banesave kolektive që do të ndërtohen nga e para.”,– tha Arbana gjatë fjalës së tij.
Njëkohësisht, një vendim i rëndësishëm i marrë nga Këshilli Bashkiak Shijak në kuadër të pandemisë Covid-19 ishte heqja e taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik nga data 31 mars deri më 31 dhjetor 2020
Postimi i plotë i kryebashkiakut Arbana:
MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK
U transmetua LIVE, për TRANSPARENCË ndaj qytetarëve, falë bashkëpunimit me “Bashki të forta”.
Pavarësisht sezonit veror, bashkia e Shijakut vijon punën intensivisht në shërbim të qytetarëve dhe në veçanti të të prekurve nga tërmeti.
Përcollëm një informacion të përgjithshëm mbi situatën aktuale të punës së Bashkisë në lidhje me Rindërtimin.
Çështjet e tjera që u diskutuan ishin në lidhje me rikonstruksionin e pallateve, rindërtimin e shkollave, kopshteve, aksit rrugor “Katër rrugët – Rrashbull”, rrjetin e brendshëm të ujsjellësit, bonusin e qerave, dyfishimin e ndihmave ekonomike dhe masat që do të marrë bashkia për dezinfektimin e shkollave.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara si rend dite, të miratuara më pas nga këshilli bashkiak ishin:
Për dhënien e ndihmës ekonomike në lidhje me fondin e veçantë për periudhën 1-31 gusht 2020.
Për dhënien e Ndihmës ekonomike lidhur me fondin 6% për periudhën 1-31 gusht 2020.
Për miratimin e Akt-Ekspertizave të thelluara.
Për miratimin e listës së shtatë paraprake të familjeve të prekura nga tërmeti i Nëntorit të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i qirasë.
Për përdorimin e Grantit të Rinkonstruksionit për mjediset e përbashkëta ose në bashkëpronësi në ndërtesat me njësi banimi (pallat) nga përfaqësuesit me prokurë të banorëve të këtyre ndërtesave.
Për detajimin e shtesës së buxhetit të vitit 2020.
Për heqjen e taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik nga data 31 mars deri më 31 dhjetor 2020.
Me vëmendje maksimale për të gjithë qytetarët, çdo sfidë do ta kalojmë bashkë!
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!





