Sot kryetari i bashkise së Shijakut, Elton Arbana ishte i pranishëm në qytetin e Laçit së bashku me ambasadorin e Zvicrës z. Adrian Maître dhe kryetaren e bashkisë së Laçit, znj.Majlinda Cara për të falenderuar Qeverinë Zviceriane për ndihmën që i ka dhënë familjeve të prekura nga tërmeti përmes granteve të rikonstruksionit.
Fjalimi i tij i plotë:
Si kryetar i bashkisë së Shijakut kam nderin dhe kënaqësinë të jem në këtë takim, pasi po finalizojmë me sukses një sfidë të madhe për qytetin tonë, për mijëra familje që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Për mua si kryetar i sapozgjedhur në vitin 2019 ishte një sfidë e madhe pas tërmetit, për t’i rikthyer shpresën shijakasve, për të besuar që ne shumë shpejt do ta shikonim dritën në fund të tunelit.
Sfida të tilla kalohen dhe lehtësohen kur ke mbështetje dhe solidaritet.
Jam shumë mirënjohës që Kryeministri Rama ishte aty për shijakasit, si kurrë më parë, për të na sjellë një shprese të re me rindërtimin.
Jam shumë mirënjohës përkundrejt donatorëve e në veçanti Qeverisë Zvicerane, e cila disbursoi rreth 1.45 milion franga zvicerane si “kontribut i butë”, pjesë e Planit të Rimëkëmbjes së Qeverisë Shqiptare nga tërmeti i 26 nëntorit.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij granti ishte të siguronte “kushte më të mira jetese falë shtëpive të rindërtuara dhe të sigurta për rreth 600 familje në Shijak dhe Kurbin”.
Qeveria Shqiptare, dekretoi “Marrëveshjen e grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për bashkëpunimin në fushën e rehabilitimit të banesave pas fatkeqësisë”.
Ky grant shkoi për rikonstruksionin e banesave individuale me shkallë dëmtimi nga DS1, DS2 dhe DS3 të:
•228 përfituesve në bashkinë Shijak. Këto të përzgjedhura nga lista me 1174 shtëpi individuale të grupit të parë të aplikimeve në bashkinë Shijak, më specifikisht:
22 banesa individuale të shkallës së dëmtimit DS1
87 banesa individuale të shkallës së dëmtimit DS2
119 banesa individuale të shkallës së dëmtimit DS3
Zbatimi i skemës së granteve për rehabilitimin e banesave u monitorua nga Ambasada Zviceriane në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë, me qëllim për të kuptuar sesi ndihma i është dhënë përfituesve te grantit.
Në funksion të këtij objektivi, me ardhjen e dy ekspertëve të përzgjedhur nga ambasada zvicerane, bashkia Shijak dhe stafi i saj ishin në gadishmëri dhe u angazhuan veçanërisht në ngritjen e grupeve për kryerjen e anketimeve në terren me përfituesit, duke siguruar një procedure transparente dhe korrekte gjatë gjithë procesit.
Shijakun e konsideroj si familjen time të madhe, ndaj kam punuar me përkushtimin maksimal unë dhe stafi i bashkisë përtej orareve zyrtare, duke konkretizuar sloganin se ku ka vullnet, ka zgjidhje.
Nuk e humbëm kurrë entuziasmin dhe ritmin e përpjekjeve për ta parë Shijakun në zhvillimin që po arrin sot falë rindërtimit.
Kjo është dhurata dhe investimi më i mirë që mund t’i japim fëmijëve që po rriten në Shijak; një qytet të bukur, të sistemuar, me hapësira për çdo grupmoshë.
Pas kësaj sfide me siguri të gjithë e vlerësojmë më shumë jetën, e duam më shumë fytyrën e re që po i japim qytetit.
Ne nuk do të harrojmë kurrë se kush ishte aty për të na ndihmuar kur ishim në vështirësi.
Faleminderit për ndihmën tuaj në çastet kur kishim më shumë nevojë!