Nga Kristaq Xhimitiku

Durrës, 5 maj 2014 – Pasditen e së dielës, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka qenë i pranishëm krahas personaliteteve italiane si Ministrja e Shëndetësisë Beatrice Lorenzin dhe ambasadorëve të Kosta Rikës, Irakut etj, në inagurimin e edicionit të parë të Bienales “Arti i Dialogut”, në Spoleto, Itali.

Praninë e kryebashkiakut durrsak në këtë event kulturor e nënvizojnë edhe mediet italiane. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi:

“Ne shqiptarët flasim me zemër. Shqipëria dhe Italia ndahen vërtet nga deti, por arti dhe kultura si dhe ndjenjat e miqësisë i bashkojnë të dy popujt tanë”

Më tej kryebashkiaku durrsak ftoi organizatorët e kësaj bienaleje që një nga ndalesat e ardhshme të saj të jetë edhe qyteti I Durrësit.

Për t’u theksuar ishte interesi i shprehur nga kryebashkiaku Vangjush Dako për skulpturën monumentale dhe kërkimi i tij me insistim për gjetjen e një skulptori të nivelit ndërkombëtar që të ekspozojë dhe më pas të vendosë punë të tij në sheshet e Durrësit.

Në edicionin e parë të Bienales së Spoletos marrin pjesë 150 artistë nga vende të ndryshme të botës. Ata janë përzgjedhur nga një komitet artistik, si prezantuesit më të mirë, më të talentuar dhe më origjinalë të artit figurativ dhe atij eksperimental.

Presidenti dhe themeluesi i kësaj Bienaleje Giuliano Ottaviani tha gjatë fjalës së tij se kjo veprimtari artistike ka si qëllim primar komunikimin përmes artit mes vendeve të ndryshme duke u bazuar në traditat kulturore dhe identitetin kombëtar të secilit shtet.

Bienalja do të qëndrojë e hapur deri në 15 qershor për t’u zhvendosur më pas në qytetet italiane (Cascia, Norcia, Monteleone, Assisi, Massa Martana, Cerreto di Spoleto, Greccio, Cittaducale), ndërkohë që në muajin shtator do të vijë në Shqipëri.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/