DURRËS, 4 shkurt 2015 –  Ndarja e banesave sociale për familjet në nevojë në Durrës ishte shndërruar në një odise sa të dhimbshme aq edhe të mërzitshme. Ishte bërë ritual thuajse i përditshëm prezenca te shkallët e bashkisë e hallexhinjve madje edhe me fëmijë apo me të moshuar. Prisnin të takonin Kryebashkiakun Dako për të lobuar për të tilla banesa sociale.

Halli i këtyre njerëzve në nevojë disa herë madje ka shërbyer si “lëndë e parë” për emisionet investigative të tipit Alarm, Kaktus etj. Më së fundi Kryebashkiaku Dako e preu “nyjen Gordiane”. Ndarja e shumë pritur e këtyre banesave u bë realitet. Meqenëse jemi vit elektoral, kuptohet që të tilla zhvillime positive nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.

Në dispozicion të jo më pak se 800 kërkesave për banesa të tilla ishin vetëm 72 apartamente 2 dhoma + 1 kuzhinë dhe 46 të tjerë 1 dhomë + 1 kuzhinë. Në bazë të një sistemi rigoroz pikavarazhi për t'u pajisur me të tilla banesa u kualifikuan 132 familje (për 118 apartamente). 197 aplikantë (familje) nuk u kualifikuan, sepse nuk arritën as numrin minimal të pikëve për t'u pranuar si i përshtatshëm për të marrë një banesë sociale nga bashkia. 

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/