·        Portret i paautorizuar i  Napolonit të vogël të PS-së

Nga Gjergj Thanasi

 

Në zgjedhjet vendore të vitit 2007 PS-ja në Durrës ishte e telendisur nga humbja spektakolare 8-0 në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005. Nga ana e saj, PD-ja besonte se fitorja e bashkisë së Durrësit ishte e pashmangshme, duke pasur parasysh jo vetëm shushatjen e PS-së, por edhe disa suksese në vendosjen e rendit, mbledhjen e taksave, reformën arsimore etj, që kishte arritur qeveria Berisha -1. Pikërisht në këtë moment kryetari Edi Rama, si pokerist profesionist, nxjerr nga mënga asin Vangjush Dako. Kandidatura Dako ishte e pasulmueshme.

“ÇUN SHKOZETI”

Familjarisht, ishte biznesmen i suksesshëm. Si drejtues vendor në policinë ndërtimore apo në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk kishe rënë në sy për të keq as si hajdut, as si arrogant as edhe si abuzues. Kundërshtari i tij Armand Teliti bëri çdo gjë të mundshme për të humbur zgjedhjet dhe me shumë vështirësi i humbi për rreth 300 vota. Ndonëse i ndrojtur e pa asnjë lloj përvoje në marrëdhëniet me publikun, Dakoja arriti t’i imponohej elektoratit durrsak si “çun Shkozeti” – i urtë, gojëmbël e i buzëqeshur, njeri, që nuk di të bëjë keq etj. etj.

Në fillim të mandatit, Vangjush Dako u përpoq të korrigjonte, me aq sa mundte, bëmat e gjëmat e paraardhësve të tij, duke filluar edhe nga veprime tej mase modeste si mbushja me asfalt e gropave në bulevardin e qytetit, i cili ishte i sapo rikonstruktuar me shpenzime marramendëse. Gjatë mandatit të parë Dako u bënë mjaft punë të mira në Durrës, jo thjesht riasfaltime apo rivitalizim lulishtesh ekzistuese. Këtu ia vlen të përmendet ndërtimi i galerisë së re të arteve, që i kishte munguar qytetit, që nga viti 1992.

KOMPROMISE PA ZARAR ME BERISHËN

Gjatë mandatit të parë gradualisht kryebashkiaku Dako përmirësoi ndjeshëm marrëdhëniet me publikun, që aq shumë çaluan në fushatën elektorale të vitit 2007. Në kontakte me të huajt ushtarakë, pushtetarë vendorë, diplomatë apo investitorë gradualisht kryebashkiaku i ri po shpaloste vlera jo të zakonta. Normalisht, të parët, që zbuluan vlerat e Dakos, ishin amerikanët. Ambasadorja Marsi Ris, që për tre vjet nuk i kishte dhënë një herë dorën paraardhësit të Dakos, bëri një vizitë surprizë në zyrën e kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë. Njëkohësisht, ajo në mënyrë të qëllimshme neglizhoi pushtetarët vendorë të majtë e të djathtë. Për takimin me Dakon, Ambasadorja Ris informoi hollësisht me kabllogramin e radhës “desk officer-in” për Shqipërinë në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Në mandatin e dytë Dako shumë gjëra ndryshuan. Me vjedhjen dhjetë-votash të mandatit të Edi Ramës në Tiranë, Dakoja u shndërrua në pushtetarin më të lartë socialist në shkallë vendi. Me gjithë vështirësitë e panumërta, që i shkaktonte një mazhorancë provinciale thuajse katundareske e PD-së në këshillin bashkiak, Dakoja arriti të bëjë thuajse gjithmonë më të mirën për Durrësin dhe durrsakët, që i do aq shumë. Për të mirën e Durrësit bëri edhe kompromise pa zarar me Berishën kryeministër apo me njerëz të besuar të tij në pushtetin lokal, vetëm e vetëm, që durrsakët mos mbanin mbi shpinë koston e sherreve politike të Tiranës së majtë e të djathtë.

NDËRKOMBËTARËT

Në këtë kohë u rrit figura e Dakos edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Zyrën e kryebashkiakut e vizituan një duzinë me ambasadorë si ai amerikan (tre ambasadorë e ambasadore), anglez (tre ambasadorë dhe ambasadore), italian, grek, kinez, turk, maqedonas, kosovar, rumun, izraelit etj. etj. Atashetë kulturorë rusë e kinezë fusnin miq te kryebashkiaku Dako, që trupat artistike ruse e kineze të jepnin shfaqje në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ambasadorë nga vende problematike si Irani apo Serbia përpiqeshin me mish e shpirt për të siguruar një takim me kryebashkiakun Dako (me qëllim që të njoftonin ministrinë e jashtme përkatëse për t’u mburrur me suksesin e arritur), por nuk ia arritën dot, duke u detyruar të kënaqeshin thjesht me një takim me drejtorin e kulturës në bashki.

Takimi i suksesshëm i kryebashkiakut Dako me përfaqësues shqiptarë të pushtetit vendor në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanovc e Medvegjë) u monitorua me shumë vëmendje e shqetësim nga diplomatët serbë në Tiranë. Në këtë mënyrë takimi i Dakos i paraprinte aktit patriotik të Kryeministrit Rama për të dhuruar para për maternitetin e Preshevës.

DURRËS-SELANIK ETJ

Maksimumi, që kishin arritur paraardhësit e Dakos në fushën ndërkombëtare, ishte vizita e ish-kryebashkiakut italian të Barit Di Cagno Abbrescia për të përkrahur fushatën elektorale të Arqile Gorresë për një mandat bis. Në këtë drejtim kryetari socialist i bashkisë Dako kaloi çdo parashikim, duke arritur të vendosë kontakte ndërkombëtare të shumëfishta. Ngjizja e një miqësie personale me kryebashkiakun Butaris të Selanikut (tre breza pasunar nga nëna e babai) i mundësoi kryebashkiakut Dako të vendoste parimin e reciprocitetit Durrës-Selanik. Tipik është rasti i sheshit me emrin Durrës në Selanik dhe sheshit me emrin Selanik në Durrës. Një emërim i tillë ua ngriti nervat fashistëve të “Agimit të Artë”. Ata publikisht e sulmuan kryebashkiakun e Selanikut, se pranoi parimin e reciprocitetit, që arriti t’ia imponojë në mënyrë diplomatike Dakoja i Durrësit. Theksoj se këtë parim nuk ka arritur ta imponojë në marrëdhëniet ndërshtetërore shqiptaro-greke asnjë qeveri e majtë apo e djathtë këto 23 vjet. Dakoja e ka ngritur më lart “stekën” e Gorresë së vitit 2000. Ai nuk kënaqet thjesht me kontakte me kryebashkiakët e Brindizit apo Barit, por ka krijuar kontakte personale me Nikola Vendolan, kryetarin e gjithë rajonit të Puljes. Nuk ia vlen të flasësh këtu për kryebashkiakë italianë si ai i Monopolit, që, si të thuash, rri ‘gatitu’ para Dakos njëlloj si kryetarët e njësive administrative të bashkisë së Durrësit.

Në marrëdhënie me miq të huaj më ka tërhequr veçanërisht vëmendjen mënyra diplomatike si komunikon Vangjush Dakoja me ushtarakët e huaj, që kryejnë vizita kortezie te pushtetarët lokalë në kuadrin e vizitave miqësore të anijeve të huaja luftarake në portin e Durrësit. Ushtarakëve turq u kujton miqësinë tradicionale shqiptaro-turke, ushtarakëve italianë u përmend lidhjet e veçanta miqësore të Durrësit me brigjet përballë të Puljes. Ushtarakëve francezë u shpjegon përhapjen e frankofonisë në qytetin e Durrësit etj. etj.

ZGJIDH ÇDO VËSHTIRËSI TEKNIKE APO FINANCIARE

Pas vjedhjes së mandatit të Tiranës në 2011, shefi i opozitës së atëhershme Rama e përfshiu Vangjush Dakon në ekipin e tij të marrëdhënieve me të huajt. Në vizitën e Ramës në Rumani, kryebashkiaku durrsak, si pjesë e delegacionit, duke shfrytëzuar me zgjuarsi, ndër të tjera, edhe përkatësinë e tij fetare dhe origjinën e largët etnike, u la një përshtypje mjaft pozitive deputetëve si të parlamentit rumun ashtu edhe eurodeputetëve rumunë (këtu spikat eurodeputeti Boshtinaru) apo qoftë edhe pushtetarëve vendorë të së majtës rumune.

Në vizitën e Kryeministrit Rama në Romë, në vigjilje të Krishtlindjeve 2013, përsëri kryebashkiaku Dako bëri figurë të mirë para deputetëve, senatorëve dhe eurodeputetëve italianë, me sensin e tij praktik në trajtimin e problemeve, me sjelljen prej zotërie bujar e dorëhapur si edhe me aftësinë për të kapur thelbin e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-italiane. Kësaj vizite të suksesshme të Kryeministrit Rama në Romë prania e Dakos thjesht i shtoi vlerat dhe i zgjidhi në mënyrë eficente çdo vështirësi të karakterit teknik apo financiar. Binomin Rama-Dako mikpritësit italianë, me të drejtë, e quajtën “l’articolo iL”-nyja iL në kuptimin e lidhjes së pazgjithshme të i-së të shkurtër (Dako) dhe  L-së së gjatë të Ramës.

Për ta kuptuar lexuesi se sa shpejt i nuhat dhe me sa finesë i përshtatet kryebashkiaku Dako trendit të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, do të sjell vetëm një shembull kuptimplotë. Kur PS-ja ishte ende në opozitë, numri 2 i PS-së Ruçi dhe kryebashkiaku i sapozgjedhur i Kavajës biznesmeni Roshi bënë një vizitë zyrtare në Pekin, duke inauguruar një epokë të re të marrëdhënieve të së majtës paskomuniste shqiptare me Kinën e madhe popullore. Thelbin e këtij trendi të ri të marrëdhënieve Pekin-Tiranë e mbështeti menjëherë Vangjush Dako i Durrësit, duke iniciuar procedurat për binjakëzimin e Durrësit me pak më shumë se 200 000 banorë me një qytet kinez thuajse tre milionë banorë.

KAPO – I ARDHSHËM – RAJONI APO MEGA-QARKU?

Me shembuj të tillë mund të vazhdojmë gjatë, por i rëndësishëm është fakti që edhe sot kryebashkiaku Dako ka arritur të ruajë në një masë të konsiderueshme modestinë, që e karakterizonte Gjushin në vitin 2007, kur u kërkoi bashkëqytetarëve të vet votën për t’u bërë qytetari numër një i Durrësit. Me gjithë dimensionin ndërkombëtar të kryebashkiakut Dako, ai mbetet përsëri modest në pretendimet e veta edhe pas përfundimit të mandatit të dytë. Përveç diferencës së  moshës, Dakoja ngjan shumë me Niki Vendola-n e Rajonit të Puljas, në karrierën politike, në ruajtjen e kontakteve me njerëzit, në suksesin si administrator i pushtetit vendor, madje edhe në shijet personale apo në kultivimin e raporteve speciale me Romën (në rastin tonë me Tiranën).

Dashamirësit e Dakos e quajnë atë Napolonin e vogël të PS-së duke e krahasuar me Napolonin e Madh të Francës. Prapë se prapë ky “Napolon i vogël i PS-së” mbetet tejet modest duke u kënaqur edhe me rolin e një kapoje rajoni apo mega-qarku si Niki Vendola i Rajonit të Puljas në bregun tjetër të Adriatikut. Ndoshta ai kërkon, që historinë e suksesit, që arriti në Durrës ta aplikojë në të gjithë mega-qarkun, që pritet të krijohet nga reforma e re e ndarjes territoriale të Shqipërisë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/