Ndërkohë që Bashkia e Shijakut po punon të shtunën dhe të dielën për të mbyllur kontratat e dëmshpërblimit të granteve për riparimin e banesave në nivel DS1, DS2, DS3, nuk po lihen jashtë vëmendjes dhe punët e tjera të përditshme në shërbim të qytetit dhe qytetarëve.

Sot ka pasur një aksion pastrimi, ku ekipit të mirëmbajtjes i është bashkuar dhe vetë kryetari i Bashkisë, Elton Arbana, i cili ka pastruar së bashku me to qendrën e qytetit.

Janë pastruar dhe dezinfektuar rrugët, trotuaret në Shijak, bashkia e qytetit, Njësitë Administrative, tregu. Ndërkohë ka vijuar dhe mirëmbajtja e varrezave.

Vetë Arbana është shprehur: “Me kënaqësi ju bashkova sot ekipit tonë të mirëmbajtjes në pastrimin dhe dezinfektimin e çdo lagje të qytetit. Ju lutem, të bashkëpunojmë të gjithë për t’u kujdesur për qytetin ashtu si për shtëpitë tona. Pastërtia dhe higjena e përbashkët janë thelbësore sidomos në situatën e pandemisë Covid-19! Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”