Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Paraqitja e Veliajt në SPAK vjen 20 ditë pas kontrollit që hetuesit e Byrosë Kombëtare ushtruan në banesën e tij në kuadër të “hetimit pasuror”.
Po atë ditë, BKH kreu kontrolle në biznesnin e bashkëshortes së Veliajt dhe i sekuestroi asaj telefonin, si dhe në banesën e të vëllait të tij.
Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mos pranojë ankimin e bërë nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj për kontrollet e ushtruara në datën 6 dhjetor.
Ndërkohë, 2 ditë më parë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa u pyet për 3 orë në SPAK.