Propaganda, fasada dhe dalja sa më mirë në publik, duket se ka "infektuar" të gjithë  kryetarët e bashkive në vend.

Përdorja e kamerave dhe aparatëve fotografik, zgjerimi i stafit të mediave apo deri tek trajnimet për komunikimet në publik, janë disa nga teknikat që përdorin politikanët lokal dhe qëndror, për të kuruar imazhin e tyre përpara qytetarëve.

Tpz.al ka siguruar dokumentat e një tenderi që po bën Bashkia e Mallakastrës, ku kryetari Agron Kapllanaj, ka akorduar plot 8 milionë lekë për "blerje aparati fotografik".

Para pak javësh, Kapllanaj i shpëtoi heqjes së mandatit nga KQZ, pasi PD-ja dhe PS-ja bashkuan votat. Kjo sepse në formularin e vetdeklarimit, Kapllanaj pranonte se në vitin 2004 ishte dënuar në Itali me dy vjet heqje lirie dhe 200 euro gjobë.

Sipas dokumenteve, me shumën prej 8 milionë lekë kërkohet të blihet vetëm një aparat fotografik, profesional CANON, lente 16-35 mm, lente 50 mm, lente 70 – 200 mm, ccantë aparati dhe dy karta CF. Kërkohet një aparat me sensor 22.3 MP sensor me kornizë të plotë me madhësi 36 x 24mm. Ndërkohë, aparati të ketë vibrim të heshtur dhe të ulët, ndërsa mënyrat e filmit full 1080p HD me ISO 100-12,800, që mund të zgjerohet në ISO 25,600.

Por me një kërkim të thjeshtë në internet është zbuluar se ky aparat nuk kushton më shumë se 2 mijë dollarë.