Mbrëmjen e së premtes, Klubi Rotarian i Durrësit shpalli anëtar nderi kryebashkiakun e Barit, Vito Leccese.

Vizita një ditore e qytetarit të parë të kryeqendrës pulieze u mbyll në formën më të bukur të mundshme me takimin me anëtarët e dy klubeve rotariane të qytetit.

Në fjalën e rastit, presidenti i Distriktit 2485 Shqipëri-Kosovë, Arben Dushi, falenderoi Leccese-n për mikpritjen në Bari muaj më parë, kur një grup rotarianësh ishin atje në përkujtim të eksodit të 8 gushtit të 3 dekadave më parë, kur mijëra shqiptarë u dyndën në anijen “Vlora” dhe kaluan Adriatikun për të mbërritur në bregun tjetër.

Ndërsa kryebashkiaku i Barit, pasi falenderoi rotarianët për titullin, nënvizoi ndër të tjera se gjatë gjithë jetës së tij e ka ndjerë lidhjen e ngushtë me vendin e shqiponjave.

“Dhurimi është një vlerë që bashkon komunitetin. Të dhurosh do të thotë se ti merr përsipër hallet e tjetrit, por në të njëjtën kohë ti kultivon respektin e ndërsjelltë. Këtë bën Rotary në nivel ndërkombëtar, këtë bëjnë klubet rotariane dhe prandaj unë ndihem i ndëruar që shpallem anëtar nderi I klubit tuaj”.– tha Leccese.

Ai deklaroi se në takimin me kryebashkiaken Sako i kishte premtuar homologes së tij se pasi të përfundojë rikonstruksioni i teatrit “Aleksandër Moisiu” një vepër e teatrit “Petruzzeli” të Barit do të shfaqet në Durrës.

Më tej, drejtuesja e fondacionit Rotari Ela Golemi dhe përfaqësuesi i i klubeve rotarakte Geri Emiri bënë një ekspoze të shkurtër të veprimtarive të klubeve rinore dhe projektet e rëndësishme, që klubet rotariane kanë vënë në jetë vitin e kaluar për kategoritë në nevojë.

Si shenjë falenderimi për mikpritjen dhe kontributin e dhënë për forcimin e lidhjeve mes dy qyteteve, kryebashkiaku barez i dha një certifikatë mirënjohjeje rotarianit Jonadri Prodani.