Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht pranë Prokurorisë së Kavajës, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja, i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Së bashku me kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.

Kjo pasi gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cenuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.

IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve.