Durrës, 21 qershor 2014  – Sot e djathta moderne evropiane dallon nga e majta  nga shumë pak gjëra. Një prej këtyre dallimeve është qëndrimi ndaj pronës publike (shtetërore). E djathta është për të privatizuar gjithçka, që mund të privatizohet, ndërsa e majta është për ruajtje e menaxhim sa më të mirë të pronës publike. Në Durrës, pas aleancës PS-LSI, e majta ka një mazhorancë të rehatshme në Këshillin Bashkiak. Kryebashkiaku Dako e ka shfrytëzuar një mazhorancë të tillë për të kaluar në Këshill vendime, që me vite nuk kalonin, sepse bllokoheshin nga votat e PD-së dhe aleatëve të saj.

Një nga këto vendime ai me Nr. 179 dt. 10. 02. 2014 është një masë tipike e djathtë e ndërmarrë nga një kryebashkiak përfaqësues tipik dhe i rëndësishëm i së majtës shqiptare. Në këtë vendim lejohet Bashkia të privatizojë linjat e transportit qytetas. Bëhet fjalë për një garë të hapur për privatizimin e linjave të transportit qytetas me autobuz si:

1-    Linja Durrës – Plepa – Durrës

2-    Linja  Durrës – Nish Tulla – Durrës

Këto linja do t’i hiqen Parkut publik të autobuzëve dhe do t’i shtohen linjës tashmë të privatizuar Durrës – Porto Romano – Durrës. Pas shpalljes së fituesit të garës, linja Durrës – Nish Tulla – Durrës filloi aktivitetin privat që nga 1 qershori i këtij viti.

Si linja publike kanë mbetur vetëm Linja e Unazës dhe Linja e Currilave. Parku i autobuzëve (publik), ka pasur një fuqi punëtore prej 140 vetësh. Tashmë ka filluar reduktimi i fuqisë punëtore dhe deri në fillim të shtatorit do të shkurtohen rreth 80-90 persona. Në këtë park kanë mbetur 20 copë autobuzë shumë të amortizuar, që gjithsesi janë në qarkullim. Për pjesë këmbimi mbahen në inventar edhe 7 copë autobuzë. Këta autobuzë konsumojnë shumë karburant rreth 37-38 litra për 100 km.

Me privatizimin e këtyre linjave do të ketë rritje të cilësisë së transportit, të komoditetit të pasagjerit etj. Do të ketë ulje të ndotjes së mjedisit, sepse autobuzët, që po vendos privati djegin rreth 25-27 litra për 100 km, përdorin marmita katalitike, që konsiderohen si më miqësore ndaj mjedisit. Në këto linja private parashikohet të hapen mbi 100 vende pune, pra më shumë sesa do të mbyllen në sektorin publik.

Problemi i vetëm social mbetet zbatimi i ligjit nga privati përsa i përket udhëtimit falas të invalidëve në mjetet e transporti urban (qytetas). Shoqata e invalidëve të Durrësit këtë problem ia ka shtruar për zgjidhje Kryetarit Dako, njëkohësisht ka informuar në hollësi edhe ministrin e linjës z. Veliaj.

Nëse këto linja të reja private do të jenë po aq efikase dhe të dobishme për pasagjerët sa edhe linja Durrës – Porto Romano – Durrës, atëhere mund të themi se Kryebashkiaku Dako ka bërë zgjidhjen e duhur. Ai duke lënë mënjanë konsideratat ideologjike me prakticitet ka adoptuar zgjidhje, që ndonëse në thelb tipike të djathta, rezultojnë të dobishme për qytetarët durrsakë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/