Kryetari i PS për bashkinë Maliq, Gëzim Topçiu ka ngritur padi për Edmond Spahon, pasi ky i fundit shkoi në takimin e tij elektoral dhe e cilësoi mashtrues për premtimet e bëra në kuadër të fushatës elektorale.
Spaho ka shkuar në zonën e Vreshtasit ku Topçiu po mbante një takim elektoral me traktoristët e zonës.
I gjithë debati është filmuar nga vet deputeti Spaho, i cili e quan mashtrues kryebashkiakun e Maliqit.
Për këtë arsye kryebashkiaku ka paditur Spahon se ka shkelur nenin 325 ‘Pengimi i subjekteve zgjedhore’ në Kodin Zgjedhor.
Sipas Spahos, Gëzim Topçiu kishte mbledhur të gjithë traktoristët për t’iu kërkuar votat me motivin se do t’ju bënte regjistrimin e targave.
Ndërkohë kryebashkiaku dhe kandidati socialist për Bashkinë e Maliqit Gëzim Topçiu tha në një deklaratë se ai nuk ka folur për vota, por vetëm për zgjidhjen e problemit të targave. Topçiu e quajti absurde ndërhyrjen e deputetit Spaho.