Shijaku ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të dëmeve materiale të shumta që pati pas tërmetit. Në një bisedë me kryetarin e bashkisë Elton Arbana, do të mësojmë më shumë për ecurinë e rindërtimit dhe projektet për të ardhmen.

Si ka ecur rindërtimi në Shijak?

Rindërtimi ka ecur mjaft mirë. Duke marrë parasysh periudhën frenuese të pandemisë dhe së fundmi rritjen e kostos së tullave, hekurave etj, ne kemi vijuar pa e ndërprerë këtë proces. Tani jemi në fazën e fundit të përfundimit të 31 pallateve. Lagja Lugina pothuajse po mbaron. Do të kujdesemi dhe për infrastrukturën e jashtme, asfaltimin e rrugëve, mbjelljen e pemëve.

Po familjet e pastreha po vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë?

Ashtu siç kemi premtuar çdo familje e pastrehë nga tërmeti do vazhdojë të marrë bonusin e qirasë deri në momentin kur do të futet në shtëpinë e re.

Cila ka qenë për ju sfida më e madhe politike?

Sfida më e madhe për mua ka qenë menaxhimi i situatës pas tërmetit. Gjithçka mu kthye në forcë për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja erdhi falë mbështetjes së Kryeministrit që ka qenë suporti më i madh për Shijakun.

Si drejtues i një institucioni, çfarë konsideroni si të rëndësishme për punonjësit tuaj?

Etika e komunikimit është nga gjërat më të rëndësishme që kërkoj nga punonjësit e administratës, nga i pari tek i fundit. Të përqëndrohen të japin maksimumin te puna e tyre, duke bashkëpunuar me njëri+tjetrin si një skuadër. Të gjithë duhet të punojmë për këtë, të lëmë gjurmë pozitive me punën tonë.

Cilat janë pritshmëritë e të rinjve nga bashkia e Shijakut?

Bisedat me të rinjtë janë shumë të rëndësishme për mua për të parë këndvështrimin e tyre për çështje të ndryshme. I kemi përfshirë të rinjtë në projekte dhe së shpejti me ndërtimin e Qendrës Multifunksionale do të kenë më shumë hapësira ndërveprimi në jetën kulturore të qytetit.

Pas rindërtimit cila do të jetë sfida e radhës për bashkinë Shijak?

Sfida jonë e radhës do të jetë punësimi. Ndërkohë që do të punojmë për të patur një qytet sa më të gjelbëruar.