Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak ku i shoqëruar nga ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiak Elton Arbana, i ka dorëzuar dy familjeve banesa të reja të rindërtuara pasi u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Njëra prej tyre është familja e Ismail Xoxit, e përbërë prej 5 personash, të cilët ndodhen në emigracion, ndaj Rama ia dorëzoi çelsin një prej të afërmve të familjes Xoxi, e cila falenderoi me mirënjohje për punën e bërë.
“Kam nderin t’ju shoh nga afër dhe t’u falenderoj me zemër dhe me shpirt. Edhe kryetarin e komunës gjithashtu. Pavarësisht se kjo është shtëpia e mbesës sime, edhe unë pata dëmtime dhe mu gjendën shumë pranë. Për mua je hero dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë”, – shprehet një prej familjarëve.
Një tjetër familje e strehuar në banesën e re 2+1 është ajo e Gazmend Banushi, e përbërë prej tre personash. “Kanë patur nje shtëpi shumë të amortizuar, të cilën tërmeti ja shkatërroi totalisht dhe tani kanë përfituar një banesë plot 85 metër katrorë”, – shprehet Arbana.
Më tej kryebashkiaku i Shijakut u shpreh se “vetëm në njësinë administrative Maminas janë ndërtuar 120 banesa individuale. Siç patëm premtuar brenda 15 janarit do t’i dorëzojmë të gjitha banesat individuale”.





