Kryetari i Bashkisë së Shijakut do të rikandidohet nga Partia Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit në hedhjen e shortit për shpërndarjen e banesave të reja të banorëve të Shijakut që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Rama vlerësoi punën e kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana dhe deklaroi live gjatë aktivitetit se do të rikandidohet për një tjetër mandat.

“Patjetër që ky transformim është në radhë të parë meritë e kryetarit tuaj të Bashkisë, i cili është treguar vërtetë një zgjedhje jashtëzakonisht e duhur, jashtëzakonisht e duhur, se qëllon dhe të jetë një zgjedhje jo e duhur e pastaj koston e marrin të gjithë, edhe votuesit, edhe propozuesit, edhe mbështetësit, por ka qenë një zgjedhje jashtëzakonisht e duhur dhe për këtë arsye unë sot dua t’ia them këtu kryetarit të bashkisë që ne e duam prapë kryetar bashkie. Ndër gjithë kryetarët e bashkisë të zonës të tërmetit, është më i dalluari për sa afër u ka ndejtur njerëzve, sa efikas ka qenë në gjithë mbledhjen e të dhënave, për sa mençurisht dhe urtësisht i ka zgjidhur konfliktet e mundshme midis njerëzve për arsye nga më të ndryshme, dihet për çështje pronash, çështje kufijsh, çështje gardhesh, çështje katesh, dhe mbi të gjitha për sa i përkushtuar ka qenë të garantuar që projektet nuk vonohen por shkojnë sipas afatit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Sot vijoi hedhja e shortit për të përcaktuar shkallën e katin e apartamentit, në 31 pallatet e reja, ku do të akomodohen brenda nëntorit 637 familje të qytetit. Deri tani në këtë bashki janë strehuar në shtëpi të reja 802 familje.