VLORE, 27 tetor 2013- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika merret i pandehur për akuzën e falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim me Eleni Dardhaj.Lajmi u bë publik nga Florinda Ballauri, drejtoreshë e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në një deklaratë për shtyp në orën 10: 15 minuta.Ballauri njoftoi se dosja ndaj Shpëtim Gjikës është dërguar në Gjykatë. Ai akuzohet se në cilësinë e kryetarit të KKRT-së Vlorë ka falsifikuar procesverbalet e dy mbledhjeve të KKRT-së së bashkisë së Vlorë.
"Hetimet kanë nisur në shkurt të 2013. U provua se Gjika në cilësinë e kreut të KRRRT në bashkëpunim me eleni dardhaj kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të dy mbledhjeve të KKRT-së Vlorë të datës 24. 3. 2010, dhe 15. 7. 2010. Këto dy dokumente kanë në përmbajtje rrethana të reja, sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KKRT e Vlorës, në të vërtetë nuk janë miratuar."- tha Ballauri.
Bëhet fjalë për ndërtimin e dy komplekseve banimi njëri 13 katësh me pronar Aleks Ahmetajn, Artan Ferhatin dhe Mustafa Tartarin të ndërtuar në bulevardin qendror të Vlorës, në Skelë ku nuk lejohet ndërtimi. Po kështu është dhënë leje ndërtimi dhe për një kompleks tjetër në lagjen Pavarësia.
/shqiptarja.com/





