Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës pasditen e djeshme, 9 shkurt, pasi Apeli i Posaçëm e dënoi me 1 vit burg për “korrupsion aktiv” në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.

Me nga 1 vit heqje lirie janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ekzekutuan vendimin e datës 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka dënuar me nga 1 vit burgim, shtetasit E. M., 39 vjeç, B. Xh., 48 vjeç dhe N. T., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi zyrtarisht policia e Durrësit sot.

Mësohet se Memolla do e vuajë dënimin në burgun e Rrogozhinës. Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Përpos 1 viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike.

Më 24 janar të vitit 2025, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion e shpalli fajtor Edison Memollën pas hetimeve që morën indicie nga një emision investigativ. Audio-përgjimi tregoi se kryebashkiaku, asokohe kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikonte te një punonjës i OSHEE-së, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor. Kjo sipas Prokurorisë së Posaçme, që të merrte votat në favor të tij. Sipas SPAK, Memolla ka premtuar edhe punësime në bashkinë Rrogozhinë.