Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako uron fëmijët me rastin e 1 Qershorit, "Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve"
DURRES, 31 maj 2013 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përshëndetur ditën e sotme fëmijët me rastin e festës ndërkombëtare të fëmijëve, 1 Qershorit.
Kryebashkiaku ka marrë pjesë në një aktivitet me këtë rast përpara pallatit të kulturës A.Moisiu ku Bashkia kishte organizuar një aktivitet argëtues me fëmijët dhe ku janë ekspozuar edhe punimet e tyre interesante me materiale të riciklueshme.
Dako pasi u ka uruar fëmijëve festën i ka shprehur atyre gatishmërinë dhe punën e Bashkisë për t’i pasur gjithmonë ata në qendër të vëmendjes dhe duke i mbështetur ata maksimalisht në aktivitetin e tyre shkollor dhe jashtëshkollor.
Sipas tij 1 Qershori është një ditë ku të gjithë fëmijët pa dallim race, etnie dhe feje festojnë së bashku 1 qershorin, i cili u kujton të gjithë të rriturve dëshirat dhe ëndrrat e fëmijëve gjithashtu i sensibilizon ata për të drejtat e këtyre fëmijëve.
Fëmijët i ka uruar edhe deputetja e Durrësit mjekja Klodiana Spahiu, e cila është shprehur duke thënë se i takon të gjithë vendimmarrësve por edhe shoqërisë që të përkujdeset maksimalisht për fëmijët që janë e ardhmja e vendit.
Në këtë aktivitet kryebashkiaku i Durrësit pasi ka vizituar ekspozitën me punimet e fëmijëve me materiale të riciklueshme ka shpërndarë edhe disa çertifikata për grupet e fëmijëve që kanë kryer këto punime.
Kryebashkiaku Dako u ka dhënë çertifikata grupeve të fëmijëve të shkollës Hasan Koçi, Isuf Ferra, Shkollës së Re të zonës së ish kënetës, të qendrës "Sot për të Ardhmen" dhe "Terres des Hommes" me motivacionin për pjesëmarrje në ekspozitën me materiale të riciklueshme me moton “Unë krijoj, ricikloj, zbukuroj kohën time të lirë.”





