Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, është e shqetësuar se Siria mund të shpërbëhet dhunshëm si Iraku fqinj, ose Libia dhe Afganistani nëse integriteti i saj territorial dhe të drejtat e pakicave nuk mbrohen.

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së ka thënë gjithashtu të martën se rënia e qeverisë ka qenë “një goditje e madhe” për mbështetësit e Assad në Rusi dhe Iran.

“Tranzicioni do të paraqesë sfida të mëdha në Siri dhe në rajon”, – u ka thënë Kallas ligjvënësve të BE-së gjatë një seance të posaçme.

“Ka shqetësime legjitime në lidhje me rreziqet e dhunës sektare, ringjalljes së ekstremistëve dhe vakumit të qeverisjes, të cilat të gjitha duhet të shmangen. Ne duhet të shmangim përsëritjen e skenarëve të tmerrshëm të Irakut, Libisë dhe Afganistanit”,- ka shtuar ajo.

Kallas ka deklaruar se midis “shumë pasojash më të gjera”, rënia e qeverisë ka treguar se mbështetësit e Assad në Rusi dhe Iran “nuk kishin ndonjë interes të ishin të pranishëm në pasojat”.

“Ata janë të dobësuar, të shpërqendruar dhe të shtrirë në teatro të tjerë në Lindjen e Mesme më të gjerë, por edhe në Ukrainë”, – ka thënë Kallas.