Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kërkuar nga homologu i saj kinez që të kontribuojë në dhënien fund të luftës në Ukrainë. Ministrja gjermane tha se se mbështetja e Pekinit për Moskën do të ndikonte në marrëdhëniet mes vendeve dhe ka inkurajuar Kinën që të ndihmojë në përfundimin e luftës. Në një fjalim në Pekin, ajo tha se lufta më shumë se 1,000 ditëshe po ndikonte në të gjithë botën. Baerbock përmendi trupat e Koresë së Veriut që po dërgoheshin për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, si dhe përdorimin e dronëve të prodhuar në Kinë.
Sipas AFP, Baerbock kërkoi një proces ndërkombëtar paqeje për Ukrainën dhe tha: “Kjo është arsyeja pse jam këtu në Kinë sot,” duke shtuar se çdo anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka një “përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në botë”. “Presidenti rus nuk po shkatërron vetëm rendin tonë të paqes evropiane përmes luftës së tij kundër Ukrainës, por tani po tërheq Azinë në të përmes Koresë së Veriut,” tha ajo në një konferencë shtypi. “Prandaj, unë dhe homologu im kinez kemi diskutuar thellësisht që kjo nuk mund të jetë në interesin e Kinës.”