Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se amnistia fiskale bëhet për të pastruar paratë e inceneratorëve. 

E ftuar në emisionin “Politiko”, Kryemadhi thotë se me amnistinë fiskale, përfitojnë vetëm ata që kanë bërë evazion, pasi sipas saj askush nuk ka një pasuri prej 2 mln eurosh të padeklaruara.

Ajo bën të ditur se po përgatit një material që sipas saj, dëshmon evazionin fiskal të inceneratorëve.

Kryemadhi: Amnistia fiskale qëllimin e vetëm që ka është për të pastruar paratë e Ramës, Veliajt dhe kompanive që janë të lidhura me inceneratorët. Shumë shpejt kemi gati materialin për evazionin fiskal të inceneratorëve. Rama do të bëjë sikur po flet për një amnisti fiskale për ata që janë emigrantë apo biznese të tjera unë jam e bindur që biznese të tjëra shqiptare nuk i kanë mundësitë të kenë 2 milionë euro të fshehura që t’i deklarojnë. Me këtë përfitojnë vetëm ata që kanë bërë evazionin fiskal.

Vetëm në rastin e inceneratorëve në dosjen që ne kemi përgatitur dhe që shumë shpejt do t’ia bashkangjisim prokurorisë së posaçme, për çështjen e inceneratorit të Tiranës janë 170 milionë dollarë para të fryra me fatura fiktive përveç faturave të fryra mungon dhe detyrimi i paguar në zyrat e tatim taksave shqiptare. Po të ndjekësh skemën dhe shumë kompani të tjera që fitojnë punë publike kanë fatura fiktive me fatura të fryra dhe përveç kësaj nuk është derdhur as TVSH.