Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ishte në Dibër ku vizitoi fshatin Radomir në Kalanë e Dodës, fermën blegtorale të ekonomistit Afrim Murja si dhe një plantacion mollësh në Maqellarë.

Kryemadhi u njoh nga afër dhe me problemet sociale siç është edhe braktisja e fshatit në masë nga ana e të rinjve për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës. Ajo tha se blegtoria dhe bujqësia janë në gjendje të mjerueshme për shkak të uljes se subvencioneve.

Kryemadhi tha se angazhimi i LSI-së është për t'u krijuar mundësi, duke subvencionuar blegtorët e rinj dhe fermerët e rinj për të rimëkëmbur bujqësinë.

“Blegtoria shqiptare vajton. Është ulur 7 herë më shumë subvencioni për ta. Jo vetëm për ta por për të gjithë bujqësinë shqiptare. Problemi qëndron që shteti nuk i shikon më blegtorët dhe fermerët shqiptarë si partnerë po i shikon si armiq. Pak më përpara një stallë që e ndërtonin për gjënë e gjallë, shteti vinte për t’ua shkatërruar jo për ti ndihmuar. Situata është shumë e mjerë në ekonominë shqiptare por akoma më shumë bujqësia.

Ne mund të krijojmë një mundësi duke i subvencionuar blegtorët e rinj, fermerët e rinj, duke i ndihmuar që të rimëkëmbin bujqësinë. Duke rimëkëmbur bujqësinë, do të rimëkëmbim agropërpunimin e tyre. Duke rimëkëmbur bujqësinë, do të rimëkëmbim bujqësinë shqiptare. Duke filluar me fermerë të vegjël, me blegtorë të vegjël dhe më pas duke zhvilluar më tej për të ndërtuar fabrikat e përpunimit. Mos të harrojmë që bujqësia është baza e ekonomisë shqiptare”, tha Kryetarja e LSI-së.