Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar këtë mëngjes se në mbrojtje të Teatrit Kombëtar do të jenë çdo natë, përfaqësues të politikës dhe jo vetëm, që askush të mos i afrohet dhe të cënojë këtë godinë me histori për gjithë shqiptarët.
Kryemadhi tha se gjatë natës ka pasur përfaqësues e punonjës të bashkisë, që kanë pritur, për të ndërhyrë.
“Nata kaloi e qetë, nuk pati problem, i kemi zgjatur edhe dy ditë të tjera Teatrit Kombëtar, dhe nuk do të lejojmë që asnjë skuth t’i afrohet për ta cënuar. Unë do të jem prapë këtu, ndoshta jo në turnin dexhurn, por me telefon te koka për çdo lajthitje që mund të vijë në çdo çast nga ana e qeverisë. Ne ishim një grup modest që qëndruam gjithë natën, ishte gjendje e qetë, nuk patëm asnjë problem, dhe kështu do të vazhdojmë. Nuk kanë tentuar të na largojnë, punonjësit e bashkisë ishin në gatishmëri të plotë, kishin besimin se ne do të largoheshim vetë. Kishte hyrje-dalje në Bashkinë e Tiranës. Rreth orës 5 të mëngjesit, kur e kuptuan që ne nuk do të lëviznim nga sheshi, ata u larguan. Kishte nga shoqëria civile, shumë artistë, që qëndruan këtu. Kjo do të jetë e organizuar nga të gjitha shoqatat, partitë politike të frontit opozitar dhe shumë artistë e qytetarë”, tha Kryemadhi.





