Monika Kryemadhi kërkon lirimin e vilave, të cilat SPAK i ka vendosur nën sekuestro. Nga Gjykata e Posaçme që i ka caktuar masën detyrim paraqitje, Monika Kryemadhi deklaroi gjithashtu se ajo nuk do të jetë pjesëmarrëse në protestën e 6 dhjetorit e thirrur nga Partia e Lirisë para SPAK. “Nuk merrem më me politikë, kam filluar profesion tjetër, mesa duket do të bëhem ndihmës avokate se me çfarë po lexoj dhe çfarë po shikoj jam e bindur që të keqen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të plepave të Sali Berishës në ‘90”, – tha Kryemadhi.

Krahas vendimit të Gjykatës që e detyron Monika Kryemadhin të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji, deputetja njoftoi se sot ajo ankimoi edhe sekuestron e dy vilave në pronësi të saj e të së ëmës, që SPAK e vendosi para një jave. “Ankimova vendimin për sekuestrimin e banesave ku jetojmë unë dhe mamaja ime bashkë që me thënë të drejtën ka një procedurë shumë qesharake dhe metodologjia që është ndjekur ka qenë, jo pa qëllim është 10 policë te dera e shtëpisë ditën e martë që ne kishim gjyqin e apelit për të dorëzuar vendimin e gjyqit 5 minuta para se të hynim në gjyq të apelit”, – deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha se e ëma e saj, Fatime Kryemadhi është vënë nën hetim, ndërsa gjetjet e SPAK ajo i quan antiligjore në mënyrën sesi ato janë marrë, ndaj do t’i çojë në Strasburg. “Që kur i kanë bërë kontrollin në banesë, kjo i bie që të jetë nën hetim, pavarësisht se Prokuroria ka ndjekur trike të cilat nuk e di a janë të ligjshme apo jo, që nuk e kanë regjistruar si procedime penale në regjistër, por edhe kur është marrë në pyetje ka qenë pa avokat, që normalisht për moshën dhe për mënyrën se si duhet të kishte avokatin e saj. Ne do t’i ndjekim sepse sigurisht që kjo gjë do të përfundojë në Strasburg për shkeljen e të gjithë procesit, qoftë të të drejtave të njeriut, qoftë të drejtave të pronës, të shumë gjërave të tjera që kanë kaluar çdo limit njerëzor”, – shtoi Kryemadhi.