Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika e Kryemadhi e ka cilësuar vendimin e parlamentit holandez, si një tregues të dështimit të qeverisë shqiptare. Nga selia e LSI-së, Kryemadhi tha se nuk janë protestat e opozitës apo djegia e mandateve që e krijojnë këtë problem shqetësues, por dështimi i qeverisë drejtuar nga Rama.

Në një konferencë për mediat, Kryemadhi tha se krimi i organizuar shqiptar dhe kthimi i vizave mund të dëmtojnë dhe vetë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

"Fakti që bërtet dhe ulëret sot është që krimi i organizuar shqiptar, destabilizimi i brendshëm që ka vendosur Shqipërinë sot është sepse krimi tashmë është partneri më i ngushtë me qeverinë shqiptare, janë partnerët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të zyrtarëve të lartë të cilët kanë eksportuar dhe në vendet e BE-së. Holanda është vetëm një nga vendet që e ka ngritur këtë çështje, por fatkeqësisht ky fenomen ka prekur edhe shumë vende të tjera të BE-së.

Dua të kujtoj raportin e DASH, që e cilëson Shqipërinë si një bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që operojnë në SHBA, Europë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Ky fenomen i ngritur zyrtarisht nga Holanda rrezikon të marrë një efekt zinxhir në debatin e ardhshëm të vendeve anëtare mbi procesin e integrimit europian dhe konkretisht për çeljen e negociatave që shqiptarët aspirojnë", deklaroi Kryemadhi.