Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Durrësit, ku ndër të tjera tha se në 25 prill do t’i jepet fund tranzicionit. Teksa iu referua projekteve të qeverisë, që opozita i konsideron si 3D, Kryemadhi tha se në 25 prill të rinjtë do ta paketojnë Edi Ramën 3D dhe do ta çojnë para gjykimit qytetar.
“Unë jam e bindur se në 25 prill do t’i japim fund tranzicionit të kalbur duke votuar LSI. Ju besoni tek LSI, ju sot keni ardhur me fëmijët tuaj këtu. Familja është forca e LSI. Ne e duam familjen, ne e respektojmë familjen. Vlerat e familjes për ne janë më të rëndësishme.
Boll më me projektet 3D të drejtorëve të pushuar nga puna, boll më solle mashtrues me projekte 3D. Shqiptarët janë më të zgjuar dhe më të mençur. Ne e dimë shumë mirë që një injorant nuk drejton dot qytetarët e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Prandaj me mashtrimet e tij 3D po ja bëj të qartë. Të rinjtë dhe të rejat e Durrësit do ta paketojnë Edi Ramën 3D, ashtu siç i bën ai projektet e tij 3D, për të paketuar dhe shkatërruar të ardhmen e të rinjve. Në 25 prill do ta çojnë përballë gjykimit qytetar dhe zotit lart”, u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI u ndal edhe tek procesi i rindërtimit në Durrës dhe premtoi se “do ta çojmë deri në fund angazhimin tonë për rindërtimin e të gjitha shtëpive të tërmetit, për t’i çuar të gjitha familjet durrsake, të Bubqit, të Thumanës e kudo, në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të jetojnë si qytetarë dinjitozë”.
“Si gjithmonë, Edi Rama nuk të lë asnjëherë pa të zhgënjyer. Si gjithmonë siç zhgënjen në jetën personale, ashtu zhgënjen dhe në jetën politike. Tek e dëgjoja dje, mendoja vërtetë se do të thonte diçka të mirë. Mendoja vërtetë se do të kishte çelësat në dorë për mijëra e mijëra familje durrsakësh, të cilëve do u jepte shtëpitë dhe do mbante premtimet për shtëpitë që do të dorëzonte brenda vitit 2020. Por po ikën 2021, kanë kaluar mbi 18 muaj nga konferenca e famshme që bëri në Bruksel, ku mori 1,2 miliardë euro dhe sot vazhdojnë me mijëra familje të Durrësit, të cilat u prekën nga tërmeti i nëntorit, që flenë në çadra.
Më lejoni, që ne si partia e fjalës së mbajtur, si partia që u qëndron angazhimeve të saj, do ta çojmë deri në fund angazhimin tonë për rindërtimin e të gjitha shtëpive të tërmetit, për t’i çuar të gjitha familjet durrsake, të Bubqit, të Thumanës e kudo, në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të jetojnë si qytetarë dinjitozë.
Ky premtim nuk është thjesht premtim elektoral, ky është një premtim që ne e kemi filluar që me banorët e Kombinatit. E kemi ndjekur hap pas hapi dhe do ta çojmë deri në fund. Ashtu siç fituan shkallën e parë në gjyq banorët e Kombinatit, ku Erion Veliaj me Edi Ramën, donin t’iu grabisnin pronat e tyre, edhe pse të dëmtuara nga tërmeti, ne qëndruam dhe luftuam deri në fund. Sepse të drejtën e fukarait nuk e tjetërson dot as Rilindja, as Bajlozi i ngordhur, asnjë gjë tjetër që kërkon Edi Rama të instalojë në Shqipëri”,- tha Kryemadhi.