Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, gjatë rrugës për t’iu bashkuar protestës, iu përgjigj gazetarëve se sot protestohet kundër politikave diskriminuese të kryeministrit Rama.
“Jemi këtu për t’ju thënë që shumica e shqiptarëve janë kundër politikave të tij diskriminuese. Ta harrojë politikën, i them Ramës se është edhe baba, prindi për fëmijën e tij sakrifikon edhe jetën. Shqiptarëve iu duhet një alternative e re ku të gjithë janë të barabartë. Për mua nuk ka rëndësi nëse bëhen apo jo zgjedhjet, Rama duhet të ikë, është kryeministër me vota nga grupe të krimit të organizuar.”
E pyetur nëse ka ndikur në vendimin e kreut të shtetit, Ilir Meta, për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, Kryemadhi e mohoi kategorikisht këtë.
“Nuk kam ndikuar fare, kam dy javë që nuk e kam takuar që kur jam operuar. Protesta do të vazhdojnë, nuk ka dialog me Ramën që ka ardhur me votë ilegjitime. Sot protestojmë për demokracinë, fjalën e lirë, median e lirë, punën, padrejtësitë në gjykata, etj”, u shpreh Kryemadhi.





