Në një prononcim jashtë sallës së parlamentit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka kundërshtuar deklaratën e bërë nga ministri Xhafaj nga Durrësi në lidhje me grupet kriminale në këtë qytet.

Kryemadhi tha se në Durrës janë shtatë grupe kriminale, jo tre sa tha dje ministri Xhafaj dhe se pesë prej tyre kanë marrë 32 milionë euro tenderime nga Bashkia.

"Ne kemi kërkuar dorëheqjen e z.Rama me kohë. E kemi kërkuar largimin e tij, nuk mund të them dorëheqjen, sepse është një institucion që z.Rama nuk e njeh dorëheqjen. Duhet të rikujtohemi dhe të kthehemi në zgjedhjet e 25 qershorit, që ishin zgjedhje të cilat u intimiduan dhe deformuan votën e shqiptarëve me paratë e drogës, ashtu sikurse kemi dhe sot kapjen e të gjithë instrumenteve. Shkoni në Bashkinë e Durrësit dhe do të shikoni se si vetëm për këtë vit, 32 milion euro tenderime i janë dhënë 5 grupeve kriminale në Durrës. Z.Xhafa dje denoncoi tre, por nuk janë tre, janë shtatë dhe janë më shumë."