Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi i është përgjigjur thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për t’u bashkuar si një skuadër kuqezi, me qëllim final çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
Kryemadhi tha se i vetmi person që nuk ka më ngjyrat kuqezi është Rama. Ndër të tjera Kryemadhi u shpreh se çdo gjë është shumë e qartë, kushti që ka vendosur BE-ja është "Edi Rama".
"Kryeministri në fakt duhet të largohet nga arroganca e tij dhe manipulimi që po bën çdo ditë e më shumë sepse kërkon të mbulojë kapjen e tij nga krimi i organizuar. Opozita ka kaluar çdo limit të bashkëpunimit të saj me zotin Rama. Duke filluar që me prezencën në parlament, duke i dhënë mundësitë zotit Rama për të reflektuar por i vetmi njeri që nuk ka më ngjyrat kuqezi është Edi Rama. Shqiptarët dhe e gjithë opozitë dhe të gjithë ata deputetë që duan, e mbajnë veshur ngjyrën kuqezi, nëse ka njeri që s’mban këtë ngjyrë është zoti Rama. Për mua është shumë e qartë dhe për opozitën jam e bindur që zoti Rama kërkon të largojë vëmendjen nga problemet që ka Shqipëria. Ne do të marrim raportin nga KE, do ta lexojmë me vëmendje. Do t’ua bëjmë të ditur dhe ju mediave për të bërë të qartë detyrat dhe kushtet që BE, KE i ka vendosur politikës shqiptare por në radhë të parë nuk ia ka vendosur opozitës por qeverisë sepse luftën kundër krimit të organizuar nuk e bën opozita por e bën qeveria. Luftën kundër bandave dhe trafikut të drogës nuk e bën opozita por e bën qeveria. Tashmë reformën në drejtësi të gjithë e dini shumë mirë që është zgjedhur një Prokurore e Përgjithshme me votat e maxhorancës pa vetting, tashmë e dini të gjithë shumë mirë që para se të largohen gjyqtarët dhe prokurorët nga vettingu del dhe deklaron kryeministri shqiptar në Facebook. Pra çdo gjë është shumë e qartë. Kushti që ka vendosur BE-ja më duket se është Edi Rama. Të tëra këto kushte që ka vendosur BE-ja kanë vetëm një personifikim që ka emrin Edi Rama."





