Duke komentuar protestën e sotme të opozitës së bashkuar, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi nga selia e partisë së saj se sot qytetarët i dhanë një mësim të mirë Edi Ramës dhe i bënë të qartë se ai nuk është më Kryeministër i vendit.

Duke e paralajmëruar se nuk ka parë gjë akoma, Kryemadhi tha se Rama nuk e mund dot popullin e tij jo me me gazlotsjellës dhe plumba gome, por edhe sikur të marrë të gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

"Ishte një protestë që rrëzoi Edi Ramën dhe i tregoi bandave dhe krimit të organizuar që e menaxhojnë atë që ai nuk është më Kryeministër i shqiptarëve. Frikacaku Edi Rama sot me 2 mijë karriget e tij në Vlorë kërkonte të bënte antimitingun por ishte përgjigjja më e mirë që i dhanë shqiptarët sot nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit".Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan edhe njëherë se ti ke ikur zotëri por ke ikur si një frikacak dhe nuk gjen vend ku të fshihesh. 

Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan se mund të përdorë çdo lloj arme por ata nuk i tut dot. Edi Rama tregoi edhe njëherë se është frikacak por është edhe vetëm. Sot Edi Rama mori një mësim shumë të mirë por mësime të tjera e presin akoma më shumë. Nuk ka parë gjë akoma! Jo gazlotësjellës, jo plumba plastikë të përdorë ndaj qytetarëve por sikur dhe gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe të SHBA ta mbledhë kundër popullit të tij ai nuk mund ta mundë dot. Nuk është Edi Rama nga ata burra që mund dot popullin e tij".

Kryemadhi tha se nga sot nisi rrënimi i botës së krimit që përfaqësohet nga Edi Rama.

"Ditë të tjera do të vinë edhe më të ethshme, edhe më me makth për Edi Ramën. Por do të vinë ditë më të bukura për shqiptarët. Me dorë në zemër falenderoj për angazhimin dhe pjesëmarrjen paqësore, qytetare dhe model të gjithë protestuesve që nuk u bënë pre e provokimeve të njerëzve të Edi Ramës por nuk u bënë pre as e provokimeve të gardistëve dhe policëve të Edi Ramës. Sot shqiptarët përballuan me një devotshmëri të paparë mbi 20 herë sulmin me gaz lotsjellës. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë një të ardhme të ndritur sepse sot Edi Rama ka ikur. Ta çojmë deri në fund këtë rrugë që kemi nisur!"