Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka takuar sot ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

Në një postim në Facebook, Kryemadhi shpreh mbështetjen e plotë të 3 prioritetevet të ambasadores amerikane në Shqipëri për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim.

“Sot kisha kënaqësinë ti uroja një mandat të suksesshëm në Shqipëri, Ambasadores znj. Yuri Kim, si përfaqësuesja e aleatit tonë strategjik SHBA.

Shpreha mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e Ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim.

Vlerësoj në mënyrë të veçantë theksin në prioritetet e bashkëpunimit ekonomik të cilat janë domosdoshmëri që vendit t’i kthehet një rritje e qëndrueshme ekonomike dhe të ofrojë punësim, veçanërisht për rininë.

Vlerësova gjithashtu mbështetjen e pakufizuar që SHBA jep për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përkrahjen e vazhdueshme për realizimin e reformave që kërkon axhenda jonë e integrimit.

Ndamë bindjen e përbashkët që përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore sipas standarteve të OSBE/ODIHR është i një rëndësie prioritare.

Vlerësova partneritetin strategjik me SHBA për forcimin e paqes, të zhvillimit dhe të integrimit të rajonit tonë.”, shkruan kryetarja e LSI.