Kryetarja e LSI –së Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me Raporterët e Këshillit të Europës Europës z.Andrej Hunko dhe z.Joseph O’Reilly ka deklaruar se situata kriminale në Shqipëri është alarmante.
"Situata kriminale në vend është alarmante dhe Shqipëria ndodhet aktualisht në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj. Mazhoranca dhe Kryeministri kanë kapur Reformën në Drejtësi duke shkatërruar thelbin dhe qëllimin e Reformës të miratuar me konsensusin historik të 21-22 korrikut. Opozita do të vazhdojë betejën e saj për rivendosjen e shtetit ligjor për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet dhe praktikisht këtë do ta bëjë duke filluar nga Parlamenti Shqiptar dhe çdo qytet dhe fshat të vendit",tha Kryemadhi.
Në vijim Kryemadhi tërhoqi vëmendjen për nevojën e adresimit të këtyre problematikave të rënda nga Këshilli i Europës, si një institucion kyç evropian që e ka monitoruar dhe e ka ndihmuar Shqipërinë gjatë këtyre 27 vjetëve të pluralizmit shqiptar. Ajo nënvizoi gjithashtu se ky mision fakt mbledhës zhvillohet pikërisht në momentin e duhur dhe falënderoi Raporterët pikërisht për këtë.





