Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pas takimit me aleatët e opozitës, hodhi poshtë informacionet e shpërndara se LSI-ja ishte përgatitur për një skenar dhune.

Ajo i bëri thirrje çdo shqiptari, grave dhe fëmijëve të jenë nesër në shesh, në atë që e quajti protestën më të madhe kundër taksidarëve të Edi Ramës, por shtoi se nesër duhet të tregohen të gjithë të kujdesshëm.

Sipas saj, mund të ketë njerëz të infiltruar dhe provokatorë të gatshëm për të krijuar situata të pakëndshme. E në këtë pikë, Kryemadhi iu drejtua ministrit Xhafaj, duke e këshilluar të bëjë deklarata të përmbajtura.

“Ftoj gratë dhe vajzat, gazetaret për të protestuar për fyerjen e madhe që Rama i ka bërë medias, duke i quajtur kazan. Prezentë të jenë me familjarët dhe fëmijët e tyre nuk ka për të pasur asnjë dhunë e protestës, e vetmja mund të jetë nga provokatorët, u kërkoj protestuesve të filmojnë çdo provokator, të jenë të kujdesshëm. Dhe ne nga ana jonë do të marrim masat. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm, Xhafaj, të jetë i kujdesshëm me deklaratat që lëshon policia se do të ketë probleme, do përballet jo me LSI-në por me realitetin e dhimbshëm që po kalojnë shqiptarët”, tha ajo.