Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka uruar në Facebook Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryemadhi shkruan se SHBA u bë shtëpia e qindra mijëra shqiptarëve që rendën pas lirisë e mundësive ndërsa shton se u gjend krah tyre në vitet "90 kur nisi rruga drejt demokracisë e lirisë.

POSTIMI I PLOTË

Sot është 4 korriku, Dita e Pavarësisë së SHBA. Në 4 korrik 1776 baballarët themelues të SHBA nisën rrugëtimin e lirisë dhe të barazisë mes njerëzve, duke krijuar edhe ndjenjën e fortë të përkatësisë të një kombi që qëndron si simboli më i spikatur e frymëzues për qytetarët e botës.

Ne festojmë në këtë ditë, me mirënjohjen e thellë për frymëzimin që simbolika e saj ka sjellë për breza të tërë shqiptarësh. Asnjë komb tjetër nuk ka qenë aq pranë atij shqiptar në historinë e tij moderne.

SHBA u bë shtëpia e qindra mijëra shqiptarëve që rendën pas lirisë, mundësive dhe prosperitetit. Shqiptarët gjetën tek vizioni uillsonian për rendin botëror, aleatin më të fortë në luftërat e tyre për pavarësi e identitet kombëtar. Ata u rreshtuan në krah të SHBA me përkushtim në luftën kundër nazi-fashizmit.

SHBA u gjend ne krah të shqiptarëve kur ata nisën rrugën e demokracisë dhe të lirisë, në vitet 90’, dhe përsëri në momentet e mëdha historike të anëtarësimit në NATO, dhe të çlirimit e pavarësimit të Kosovës.

Sot SHBA qëndron si aleati ynë më i madh në përballimin e sfidave të konsolidimit të demokracisë, ndërtimit të shtetit të së drejtës, forcimit të sigurisë e paqes në rajon e më gjerë, por edhe të integrimit tonë në Evropë.

Prandaj, 4 Korriku është edhe festa e shqiptarëve.

Gëzuar Festën e Pavarësisë!

God Bless America!