Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i është përgjigjur batutës së Edi Ramës, që nga parlamenti e lidhi emrin e saj me telenovelën “Izaura”. Në një lidhje direkte në News 24, Kryemadhi tha se batuat e Ramës janë shterpë dhe se Izaura përfundoi e lumtur me burrin e vet, ndërsa Leoncio që është Rama, vrau veten.
Ajo e quajti Ramën “Niçja i madh”, sipas pseudonimit të Altin Avdylaj, një prej të arrestuarve të grupit dhe shfajësoi Dakon duke thënë se ai zbaton urdhrat.
“Edi Rama, Niçja i madh i politikës shqiptare. Niçja dhe Vangjushi kanë bërë atë që ka thënë Niçja i madh. Dokumentacionet e dala në media faktojnë ulërimën e opozitës për blerjen e zgjedhjeve të 2017-s. Batutat e Ramës janë shterp, nuk prodhojnë asgjë. Rama tashmë është i nervozuar. Problemet e brendshme dhe faktori ndërkombëtar e kanë bërë të jetë në një presion të madh. Ka ardhur koha që Rama të dëgjojë këngën: Mos pi mall, bëj palestër. T’i kthehet sportit. Sot shqiptarët nuk kanë më shpresë. Rama premtoi 300 vende pune, ka larguar 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria”, ka thënë Kryemadhi.
Pyetjes së gazetarit Ylli Rakipi nëse kryeministri pi mall, Kryemadhi iu përgjigj: “Kjo nuk është gjë e re që të të shokojë ty Ylli”.





