Republika Çeke është duke u përballur me valën e dytë të pandemisë Covid-19, teksa numrat e të infektuarve kanë arritur në shifra rekord. Situata kritike ka detyruar kryeministrin, Andrej Babis t’i kërkojë falje popullit të tij në një konferencë shtypi, plot 5 herë.

Babis pranoi se qeveria e tij kishte bërë gabime në mënyrën si e ka trajtuar shpërthimin e pandemisë, teksa iu lut njerëzve që të ndiqnin rregullat e rrepta të bllokimit.

“Më vjen keq për kufizimet e reja që do të ndikojnë në jetën e pronarëve të bizneseve, punonjësve dhe qytetarëve. Më vjen keq që de facto e përjashtova mundësinë që kjo të ndodhte, nuk mund ta imagjinoja që kjo do të ndodhte”, tha Babis ndër të tjera.

Masat e reja në Çeki, të cilat hynë në fuqi sot në mëngjes, përfshijnë kufizime në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mbylljen e shërbimeve dhe dyqaneve që nuk kanë funksion thelbësor. Po ashtu u miratua edhe vendosja e detyrueshme e maskës mbrojtëse kudo brenda zonave urbane dhe në makina.

Për një kohë të gjatë, kryeministri Babis refuzoi të vendoste rregulla më të rrepta anti-Covid mbi popullin, duke dhënë si arsye nevojën për të mbrojtur ekonominë. Por kjo vonesë, sipas mendimit të mendimit të ekspertëve, ka çuar në një përhapje të gjerë të virusit.

Shteti me 10 milionë qytetarë është duke regjistruar tani më shumë raste të reja Covid-19 për 100,000 njerëz, sesa çdo vend i madh në botë. Në fakt Republika Çeke u vlerësua gjatë valës së parë të pandemisë për mënyrën si u përball me të, kur qeveria vendosi një bllokim të hershëm dhe bëri maskat të detyrueshme, në një kohë kur pjesa më e madhe e vendeve të Evropës perëndimore po shënonin shifra në rritje.

Këto masa strikte u hoqën gjatë verës, pasi qeveria besoi se pandemia ishte nën kontroll. Kryeministri madje tha se edhe rihapja në fund të majit ka qenë e nxituar.