Mbyllje të përkohshme si një masë paraprake dhe një vendim që do të merret nga vetë kryebashkiakët për rrugët dhe sheshet pas orës 21:00. Distancë e afërt vetëm në raste kritike dhe turne të mundshme edhe pasdite për shkollat.

Është ky një dekret që parashikon të shpëtojë Italinë nga mbyllja dhe që ka dalë nga qeveria pas tre ditësh diskutime me rajonet dhe entet lokale.

Sipas kryeministrit Conte, strategjia nuk mund të jetë ajo e pranverës. “Qeveria është aty, por secili duhet të bëjë pjesën e vet. Është vetëm fillimi i një plani më të amplifikuar”, u shpreh ai.

Paketa e re e masave parashikon mbylljen e bareve dhe restoranteve në mesnatë, megjithatë më tej mund të parashikohen masa për ato vende që shfaqin më shumë rrezik, në raste të tilla mund të aplikohet edhe mbyllja në orën 21:00, sipas vendimit të vetë bashkive.

Në disa raste, pas orës 18:00 do të jetë i mundur vetëm konsumi i ushqimit në tryezë, ku duhet të qëndrojnë në çdo rast jo më shumë se 6 persona.

Ndërkohë në shkolla parashikohet aplikimi i turnit të pasdites dhe fillimi i mësimit jo para orës 9, me qëllim evitimin e orareve të ngarkuara.