Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në një deklaratë për mediat thotë se situata nga zjarret në vend, ditën e sotme paraqitet pak më e qetë.

Mitsotakis premtoi se qeveria do të kujdeset që të ripyllëzojë të gjitha zonat e djegura nga flakët.

Situata në Greqi konsiderohet kritike në Atikë, zjarret kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme duke shkrumbuar jo vetëm pyje por edhe banesa e biznese.

“Ne duhet të vazhdojmë me intensitet të madh përpjekjen për të kufizuar të gjitha zjarret dhe për të mos pasur ndonjë rrezik të ndezjes përsëri,” theksoi ai.

Mitsotakis premtoi reformimin e sistemeve të mbrojtjes nga fatkeqësitë si zjarret, përmbytjet dhe erozioni.

“Përparësia gjatë gjithë këtyre ditëve ishte para së gjithash mbrojtja e jetës njerëzore. Të gjitha zonat e djegura do të konsiderohen të ripyllëzueshme, ne do të ndryshojmë mënyrë për projektet e mbrojtjes, anti-përmbytjet, anti-erozionin por edhe mënyrën se si bëjmë ripyllëzimin”, tha ai.