Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiç, një ditë pasi ajo tha se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Haradinaj, i cili në një postim në Facebook shkruan se në qeverinë dhe insitutcionet e Kosovës nuk ka vend individë që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike.

POSTIMI I PLOTË

Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq.