Kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, përjashtoi sot rikthimin e taksës mbi pasurinë si dhe pezullimin e reformës jopopullore të sistemit të pensioneve, duke dhënë një sinjal të parë mbi drejtimin që do të ndjekë politika e tij, ndërkohë që po përpiqet të hartojë buxhetin për vitin 2026 dhe të formojë qeverinë e re.
Që nga dita kur presidenti Emmanuel Macron e emëroi Lecornu-n si kryeministrin e tij të pestë brenda më pak se dy vitesh, në një klimë të thellë krize politike, ai ka qenë tepër i rezervuar për planet e tij, duke u fokusuar më shumë në konsultimet me liderët e partive dhe sindikatat.
“Nis me një faqe të bardhë,” deklaroi ai në një intervistë për gazetën Le Parisien. Paraardhësi i tij, François Bayrou, u rrëzua nga parlamenti për shkak të planit të tij për të shkurtuar 44 miliardë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm.
Lecornu tha se objektivi i tij është ulja e deficitit buxhetor në rreth 4,7% të PBB-së në vitin 2026, afër objektivit të Bayrou që ishte 4,6%, nga 5,4% që parashikohet të arrijë këtë vit.
Ai shtoi se në planin e tij buxhetor do të marrë parasysh kërkesën e qytetarëve francezë për më shumë drejtësi fiskale. Sipas tij, do të jetë parlamenti ai që do të vendosë përfundimisht për paketën përfundimtare të buxhetit, duke i nxitur ligjvënësit të kërkojnë konsensus.
“Është parlamenti ai që do të hartojë buxhetin e shtetit,” tha Lecornu, duke shtuar menjëherë pas kësaj: “Në fund, nuk do të jetë buxheti i Lecornu: do të nevojiten kompromise në sallë.”
Arritja e kompromiseve nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Aleanca qeverisëse e Macron nuk ka shumicë dhe, për të miratuar buxhetin, ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetjen e konservatorëve dhe socialistëve.
Dy nga politikat që Lecornu përjashtoi, rikthimi i taksës mbi pasurinë dhe pezullimi i reformës së pensioneve, janë kërkesa kyçe të Partisë Socialiste.
“Ka një kërkesë politike dhe shoqërore për më shumë drejtësi fiskale, sidomos për rikuperimin e financave tona publike. Nuk mund ta injorojmë këtë debat në mënyrë të njëanshme,” theksoi ai. “Dhe për më tepër, a është propozimi i Zucman zgjidhja e duhur? E vetmja zgjidhje? Personalisht, nuk mendoj kështu.”
Lecornu i referohej një propozimi të ekonomistit Gabriel Zucman, i cili mbështetet nga socialistët dhe parashikon vendosjen e një takse pasurie prej 2% mbi 0,01% të më të pasurve në Francë, si një mënyrë për të fituar mbështetjen për qeverinë.
Ai paralajmëroi se nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje për buxhetin deri në fund të vitit, deficiti mund të rritet në 6% vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai minimizoi shqetësimet e tregjeve financiare për borxhin francez, duke deklaruar me një ton ironik se “FMN nuk është në pragun e Francës”.
Lecornu, i emëruar më 9 shtator, bëri të ditur se synon të formojë qeverinë e re deri në fillim të muajit tetor.
Në një reagim të parë, zëdhënësi i Partisë Socialiste, deputeti Arthur Delaporte, komentoi me ironi se me këto deklarata Lecornu lë përshtypjen se dëshiron të rrëzohet nga parlamenti.





