Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin telefonat me përgjegjësi, duke theksuar se sektori i telekomunikacionit ndodhet në një “moment kritik”.
Në një deklaratë për mediat, Sánchez tha se nuk ka ende informacion përfundimtar mbi shkaqet e ndërprerjes së energjisë që ka prekur pjesë të ndryshme të vendit, por siguroi se nuk ka kërcënim për sigurinë publike.
Ai theksoi gjithashtu se sistemet e pagesave dhe bankingu dixhital po funksionojnë normalisht, duke qetësuar shqetësimet për ndikimin në jetën e përditshme.
Sánchez bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Sigurisë do të zhvillojë një tjetër mbledhje brenda ditës për të shqyrtuar masat e mëtejshme që do të ndërmerren.