Kryeministri Berisha inaguroi ditën e enjte në lagjen nr.13 të Durrësit rrjetin e ri të ujit të pijshëm, projekt ky që u garanton furnizim të rregullt me ujë rreth 15 familjeve të zonës së Plazhit. Duke u ndalur tek investimet e realizuara nga qeveria në këto 7 vitet e fundit kreu i ekzekutivit theksoi se Shqipëria ka shënuar në këto vite, ndryshimet më të mëdha në historinë e saj dhe katër vitet e ardhshme janë vitet e finalizimit të projektit – Shqipëria, vend i zhvilluar.
“Ne, kudo që shkojmë, nuk ofrojmë fjalë boshe e slogane, por shkolla të reja, ujësjellës të rinj, kanalizime të reja, biznese të reja, ofrojmë tërheqje të bizneseve të huaja, ofrojmë hidrocentrale të reja të ndërtuara në të katër anët e vendit, zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, ofrojmë shumëfishim të turizmit. Këto do të jenë ofertat tona për katër vitet që vijnë, sepse këto janë edhe nevojat më të ngutshme, më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë”,- tha kryeministri.
Ndërsa përshëndeti përfundimin e ujësjellësit të ri, një investim me vlerë 1 milionë euro, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve, për projektet lidhur me furnizimin me ujë të popullatës janë investuar mbi 500 milionë dollarë dhe rreth 97 përqind e qytetarëve furnizohen sot, me ujë të rrjedhshëm, duke garantuar se furnizimi i tyre me ujë, 24 orë, është ndër përparësitë në programin e qeverisë.
“Sistemi i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve,- tha kryeministri,- është ndër veprat më të kushtueshme, por edhe më jetiket për komunitet tona. Edhe ujësjellësi i sapo inauguruar i jep zgjidhje problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së plazhit. Pas investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësve në Durrës, është bërë e mundur furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm i rreth 15 mijë familjeve”.
Krahas investimeve në rrjetin e ujit të pijshëm rëndësi prioritare qeveria i ka kushtuar edhe financimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. “Në këto 6 vite, ne kemi asfaltuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në të katër anët e vendit dhe gjatë 2-3 vitet të ardhshme, ne jemi të vendosur të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, kudo në Shqipëri. Ne kemi ndërtuar në 6 vite, siç thotë Komisioni Europian, më shumë rrugë se të gjitha e vendet e rajonit të marra sëbashku. Ne po finalizojmë një infrastrukturë ndër më modernet në Ballkan e më gjerë”,- tha Berisha.