Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se marrëdhëniet tradicionale të vendit të tij me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë të bazuara në integrimin e thellë të ekonomive dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe ushtrisë, kanë arritur fundin. Gjatë një deklarate për gazetarët në Otavë, pas një takimi të kabinetit, Carney tha se kanadezët duhet ta ri-imagjinojnë në themel ekonominë e tyre përballë tarifave të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Carney shtoi se Kanadaja do të kundërpërgjigjet me tarifa hakmarrëse që synojnë të kenë ndikim të madh në ekonominë amerikane. Ky reagim ka ardhur pas vendimit të Trumpit, i cili në ditën e mërkurë shpalli një taksë prej 25 për qind për veturat dhe pjesët e importuara të automobilave.

“Kjo do të jetë një masë e përhershme”, tha Trump.

Carney, i cili është lider i Partisë Liberale, e cilësoi marrëveshjen e vitit 1965 për produktet e makinerive si marrëveshjen më të rëndësishme ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se ajo ka përfunduar për shkak të këtyre tarifave.

Ai shtoi se, përkundër këtyre tarifave amerikane, Kanadaja duhet të mbrojë industrinë e veturave dhe apeloi që qeveria dhe komuniteti i biznesit të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra për të ri-shikuar dhe ri-krijuar ekonominë kanadeze. E ardhmja e marrëdhënieve tregtare mes Kanadasë dhe SHBA-së mbetet e paqartë, ka përfunduar ai.

Sipas tij mbetet për tu parë nëse kanadezët mund të kenë një marrëdhënie të fortë tregtare me Shtetet e Bashkuara në vazhdim. Carney ka ndryshuar planet e tij të fushatës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të ardhshëm për t’u përballur me detyrimet e fundit të importit.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur pjesërisht një tarifë totale prej 25% për mallrat kanadeze, së bashku me një tarifë prej 25% për të gjitha importet e aluminit dhe çelikut. Kanadaja deri më tani është kundërpërgjigjur me rreth 60 miliardë dollarë kanadezë (42 miliardë dollarë; 32 miliardë dollarë) tarifa për mallrat amerikane.

Tarifat e reja të makinave do të hyjnë në fuqi më 2 prill, me tarifat për bizneset që importojnë automjete të fillojnë të nesërmen, tha Shtëpia e Bardhë. Taksat për pjesët janë vendosur të fillojnë në maj ose më vonë.